Ministre e Tregtisë dhe Industrisë


Këshilltar i lartë politik

Ilir Salihu



Ilir Salihu ka kryer Fakultetin Ekonomik drejtimi Menaxhment në Universitetin e Prishtinës, ndërkaq titullin Magjistër i Administrimit të Biznesit (Honors) drejtimi Menaxhment Strategjik e mori në shkollën prestigjioze të menaxhmentit në Slloveni, IEDC – Bled School of Management. Ai ka ndjekur edhe programe të tjera akademike në lëminë e Menaxhmentit Industrial në Universitetin e Menaxhmentit dhe Ekonomisë në Vaxjo të Suedisë si dhe programin për Ndërmarrësi në Universitetin Amerikan në Bullgari.

Salihu ka një karrierë të bujshme menaxheriale. Para luftës së vitit ‘99 ai ishte i angazhuar në udhëheqjen dhe organizimin e të rinjve për të sfiduar regjimin e atëhershëm në Kosovë i cili privoi popullin shumicë të Kosovës nga të drejtat dhe liritë elementare; si dhe kishte ndihmuar në ngritjen e institucioneve të pavarura të Kosovës, në veçanti të sistemit të pavarur të arsimit.

Pas luftës, Salihu e filloi karrierën e tij profesionale në Departamentin e Tregtisë dhe Industrisë si zyrtar për mbikëqyrjen dhe zhvillimin e ndërrmarrjeve shoqërore në Kosovë, ndërkaq me formimin e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), Salihu u angazhua në fillim si zyrtar për privatizim, për të kaluar pastaj në Departamentin e Ndërmarrjeve Publike, ku në vitin 2005 emërohet drejtor i këtij departamenti dhe zëvëndësdrejtor i AKM-së për ndërmarrjet publike. Gjatë udhëheqjes së tij AKM-ja arriti t’i korporatizojë të gjitha ndërmarrjet publike në Kosovë dhe të ndërtojë një kornizë moderne të qeverisjes korporative në këto ndërmarrje të cilat së bashku punësonin mbi 15,000 punëtorë.

Gjatë viteve 2005-2008, Salihu ka udhëhequr Bordin e drejtorëve të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) dhe të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Nën udhëheqjen e tij këto dy ndërmarrje shënuan një progres të rëndësishëm dhe shumëdimenzional. PTK-ja arriti të shkëputej nga mentaliteti socialist i qeverisjes dhe të orientohej drejt ekonomisë së tregut dhe konsumatorit. Kjo bëri që numri i konsumatorëve dhe fitimi i PTK-së të dyfishoheshin brenda një kohe të shkurtër; ndërkaq Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës mori çmimin si aeroporti më i mirë në kategorinë nën 1 milionë pasagjerë nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI).  

Nga korriku i vitit 2008, Salihu është angazhuar në institucione të rëndësishme vendore e ndërkombëtare si shef i stafit dhe këshilltar për ekonomi i Presidentes së Republikës së Kosovës (2011-2013), si dhe këshilltar për ekonomi në Zyrën Civile Ndërkombëtare (ICO, 2008-2011).

Aktualisht Salihu është angazhuar në cilësinë e këshilltarit të parë të Ministres së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës.

Në botën akademike Salihu është angazhuar nga marsi i vitit 2011. Ligjëron lëndët: Menaxhimi i Burimeve Njerëzore, Menaxhimi Strategjik, Menaxhimi dhe Sjellja Organizative, Sjellja Organizative dhe Lidershipi dhe Sjellja Konsumatore. Krahas mësimdhënies, Salihu ka ushtruar edhe aktivitete të konsulencës për organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe biznese vendore.


Adresa:

Lagjja e Spitalit, rr. "Muharrem Fejza", 100000 - Prishtinë

Kontakt:

+381 (38) 200 36 504

E-mail:

ilir.salihu@rks-gov.net

Top